Brenda 24 orëve dy gra kanë denoncuar burrat për dhunë. Madje një prej tyre ka përfunduar në spital pasi u godit me bishtin e sëpatës. Në prag të ditës ndërkombëtare të grave shifrat e dhunës në familje janë tragjike. Ndërsa psikologët akuzojnë se jo vetëm në familje, por dhe në polici e gjykatë gjen mentalitetin ku gratë nuk kanë të drejta
Dy gra janë vrarë prej burrave në Durrës në këtë tre mujor të parë të vitit. Një prej tyre kishte madje edhe urdhër mbrojtje.
Por këto janë vetëm rastet ekstreme që sjellin tronditjen e opinionit, në gjykatë në heshtje një numër i lartë grash denoncojnë bashkëshortët.
Më i fundit u shënuar mbrëmjen e së premtes, pak orë nga dita ndërkombëtare e gruas.
Një 42-vjeçare u godit me bishtin e sëpatës nga bashkëshorti i cili më pas tentoi vetëvrasjen.
Ngjarja ndodhi në sy të fëmijëve. Shkak ishte kërkesa e gruas për tu ndarë nga burri, që sipas familjarëve ishte i dhunshëm.
Pas dëshmisë të gruas në spital, burrit iu vunë prangat.
“Pothuajse për çdo 8 mars ka pasur gjithmonë një bilanc tragjik të vrasjeve të grave.”
Por pafuqia e shtetit flet me ripërsëritjen e dhunës edhe pse me urdhër mbrojtje.
“Tani gratë e kanë fuqinë për të shkuar dhe për të denoncuar dhunën.”
Për psikologët shqetësues është fakti jo vetëm i mentalitetit të meshkujve, por shpesh të uniformave blu madje edhe të vetë gjyqtarëve.
“Një grua kur shkon të bëjë denoncimin përballet me një polic dhe me një efektiv,i cili sërish dhunon gruan e tij në shtëpi, apo kemi raste që edhe gjyqtarët mund të mbajnë më tepër anën dhunuesit, ose nuk i japin rëndësinë e duhur, deri në atë pikë që dhunuesi kthehet në shtëpi, aq sa mund të kemi viktima dhe themi pse ndodhi.”
Fenomeni haset thuajse në të gjithë vendin. Në Vlorë një 31-vjeçar u vu në pranga pasi dhunoi fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten 19-vjeçare. Vetëm në tiranë në dy muaj janë dhënë 15 urdhra mbrojtje nga gjykata, prej të cilave vetëm 1 është ankimuar




