Pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus në vendin tonë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu apeloi qytetarët të ruajnë qetësinë.
Ministrja nënvizoi se mjekët dhe infermierët janë në ballë të situatës për të vënë në zbatim të gjitha skenaret e planifikuara.
Nga ana tjetër Manastirliu kërkoi bashkëpunim me qytetarët.
Manastirliu: Kam një thirrje për personat që kontaktohen nga ekipet tona të bashkëpunojnë me to për të mirën e shëndetit të tyre dhe të të afërmëve të tyre dhe qytetarëve të tjerë. U bëj thirrje të jenë racionalë, nuk ka nevojë për panik. Mjekët dhe ekspertët janë në krye të detyrës dhe kanë qenë që nga momenti i konfirmimit të rasteve gjatë gjithë natës dhe do të vijojnë të jenë në krye të detyrës. Çdo orë ka përforcim të masave,çdo qytetar do të informohet në vazhdimësi për masat që ne do të marrim në varësi të situatës dhe shkallës së rrezikshmërisë.
Përsëris thirrjen për qytetarët që nëse kanë simptoma të ngjashme me ato të gripit të telefojnë menjëherë në numrin 127 dhe ta bëjnë pa asnjë vonesë. Ekipi i urgjencës do të paraqitetet tek ata. Qytetarët të mos vinë në urgjenca pa pasur shenja klinike dhe pa kontaktuar 127. Virusi nuk shpërndahet përmes ajrit por kontakteteve. Qytetarët të respektojnë rregullat e higjienës, të lajnë duart për 20 sekonda, mbulim i fytyrës me bërryl gjatë tështitjes apo kollitjes dhe ruajtja e distancës më shumë se 1 metër me personat e tjerë.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se asnjë vend nuk është imun ndaj virusit porse dallimin e bën mënyra se autoritetet reagojnë.
Manastirliu: Nuk jemi imunë por është një situatë ku bën dallimin mënyra sesi reagon, ruajtja e qetësisë dhe ndjekja e protokolleve. Tre drejtimet kryesore të planit tonë të veprimit për të parandaluar përhapjen e këtij virusi janë: freno, vono dhe lehtëso.
Në mbledhjen urgjente mëngjesin e sotëm qeveria doli me një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Kështu qeveria vendosi mbylljen e institucioneve arsimore për një periudhë 2-javore, deri më 23 mars dhe anulimin e fluturimeve drejt Italisë deri me 13 prill.
Masat përfshijnë gjithashtu edhe mbyllje të aktiviteteve publike dhe jopublike dhe anulimin e grumbullimeve masive, kufizim të lëvizjes së shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve në spitale, vetëkarantinim të personave të hyjnë në territorin e Shqipërisë nga zonat e izoluara në Itali dhe ndalim i eksportit të barnave dhe pajisjeve mjekësore.




