Ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës Florenc Hoxha, është proceduar penalisht nga Policia, për shkak se ka qenë pjesë e një konflikti me një shtetas tjetër në zonën e Vaqarrit në Tiranë, ditën e djeshme. Hoxha është konfliktuar me shtetasin Bledar Goga, i cili kishte një makinë me ushqime dhe do t’i shpërndante për banorët e zonës.
Hoxha i ka bllokuar fillimisht rrugën me makinë shtetasit Goga dhe më pas, dyshohet se janë zënë me grushta me njëri-tjetrin. Hoxha pretendon se në këtë mjet kishte ushqime të ndryshme, që do të shpërndaheshin në këmbim të votës.
Pas ngjarjes Goga ka braktisur mjetin me ushqime, të cilat më pas sipas kandidatit për deputet Belind Këllici, u fshehën pranë komisariatit numër 6 në Tiranë.




