Avokati Spartak Ngjela, shprehet se ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, është dukur shumë e shqetësuar të marten, kur foli para KLD dhe KLGJ, pasi korrupsioni i lartë politik është hedhur në aksion. Sipas tij, të korruptuarit nën akuzë për prona korruptive të PD-së nuk i pranojnë zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa Meta është futur në inekzistencë administrative, se është në një rrugë ku pasioni dhe frika i kanë errësuar arsyen shtetërore.
Ngjela thotë se në muajin korrik, Kongresi Amerikan do të marrë vendimin kundër Sali Berishës, duke e akuzuar si “i korruptuar familjarisht dhe si pengues i demokracisë në Shqipëri, por edhe si një individ me veprimtari të ethshme antiamerikane”.
Postimi:
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim, u duk shumë e shqetësuar të martën kur foli përpara KLD dhe KLGJ. Pse?Sepse i gjithë korrupsioni i lartë politik është hedhur në aksion. Të korruptuarit nën akuzë për prona korruptive, të Partisë Demokratike, nuk i pranojnë zgjedhjet e 25 prillit. Si gjithmonë. Një melodi mesjetare allaosnmane kjo, por që nuk bëjn dot gjë; Meta ndërkohë është futur në inekzistencë administrative, se është në një rrugë ku pasioni dhe frika i kanë errësuar arsyen shtetërore; Në shtator, po pritet të çelet parlamenti i zgjedhur në 25 prill, dhe opozita është futur në një qerthull absurd: nuk pranon zgjedhjet, kur këto janë çërtifikuar ndërkombëtarisht; kur nuk ka paraqitur asnjë provë për manipulim zgjedhor dhe, kur i ka humbur të gjitha gjyqet;
Ton i ashpër i ambasadores dhe vlerësim njëherësh për SPAK, tregon se politika amerikane kuptohet që ka të dhëna nga shërbimet se në Shqipëri po bllokohet reforma në drejtësi, emërimet e reja nuk po bëhen në pushtetin gjyqësor, dhe ka edhe ndalim të reformës antikorrupsion. Në të vërtetë, kjo është klasa politike e Shqipërisë – e gjitha e korruptuar, dhe e gjitha kundër shqiptarëve. Prandaj, me këta individë të degraduar, flitet vetëm me denoncime. Pikërisht për këtë, dhe e morëm njoftimin se presidenti amerikan, Joe Biden, dekretin e tij të urdhrit administrativ kundër Sali Berishës e paraqiti në Kongresin Amerikan dhe, në korrik, Kongresi, në funksion të provave dhe fakteve që ka, pritet të marrë vendimin e vet kundër Sali Berishës si “i korruptuar familjarisht dhe si pengues i demokracisë në Shqipëri, por edhe si një individ me veprimtari të ethshme antiamerikane”. Por, a do t’i bëjë politika amerikane të qarta për shqiptarët provat dhe të gjitha faktet që disponon për korrupsionin e lartë shqiptar? A do t’a bëjë publike politika amerikane, bashkëpunimin e një sërë të korruptuarish të lartë në Shqipëri me Beogradin, Moskën, dhe e futur me pasion shkatërrimi në një veprimtari të ethshme antishqiptare?
Ky denoncim duhet të vijë dhe të shfaqet para opinionit publik shqiptar përpara ose njëherësh me fillimin e procesit penal kundër ‘peshqëve të mëdhenj’ të politikës shqiptare. Sepse ka shenja që korrupsioni i lartë shtetëror. Të gjitha këto tregojnë që, po kuptohet ndërkaq se ka një skemë ndërkombëtare me ecuri profesionale kundër korrupsionit në Shqipëri. Fakti që u përshpejtua dërgimi në Kongresin Amerikan të materialit non grata të Sali Berishës dhe të familjes së tij, kuptohet se materialet sekrete të mbledhura kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, pasi të bëhen të hapura përpara Kongresit, do të bëhen të qarta e publike edhe përpara opinionit publik shqiptar. E themi këtë, sepse, asnjë material i paraqitur përpara Kongresit në Uashington, kur procedohet për daljen e një ligji të posaçëm, nuk mund të jetë sekret. Prandaj, gjatë muajit korrik të këtij viti, shqiptarët do të kenë mundësinë të njihen realisht me bëmat e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Pas kësaj, mendoj se, për vetë Shqipërinë dhe shqiptarët, do të fillojë një epokë e re. Të korruptuarit janë shumë, dhe të shpërndarë kudo; edhe pse pa shumë forcë e jo profesional, sërish duhet theksuar se është i shtrirë në të gjithë aspektet ekonomike të shtetit shqiptar. Por, tani, lufta kundër tij ka filluar dhe do të vijojë. Si rregull, lufta penale antikorrupsion, në një vend të korruptuar si Shqipëria, fillon në mënyrë drastike.




