2 Korrik 1990 – 2 Korrik 2021/ Afrim Krasniqi: Ngarjet e kësaj date patën impakt të rëndësishëm, në ecurinë e zhvillimeve politike në Shqipëri…

0
50

2 Korrik 1990, është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike në Shqipëri. Kjo date, përbën një pikë kthesë në rrjedhën e ngjarjeve dhe ardhjen e pluralizimit në vendin tonë. Analisti Afrim Krasniqi, 31 vite më vonë, ka sjellë librin dedikuar kësaj date.

Sipas Krasniqit, ngjarjet e Korrikut të 1990, patën një impakt të madh në ecurinë e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri. Ai shkruan se eksodi i muajit Korrik, nuk ishte ikja nga regjimi, por fillimi i fundit të ikjes së tij.

Shkruan Afrim Krasniqi:

2 Korrik 1990 – 2 Korrik 2021.

Vlerësimi? Ngjarjet e korrikut 1990 patën impakt të rëndësishëm në ecurinë e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri. Periudha e sjelljes represive korrik-gusht 1990 i la vendin zhvillimeve të reja në shtator-nëntor, kulmi i të cilave ishte lëvizja studentore e dhjetorit. Shumica absolute e atyre që u larguan përmes ambasadave në korrik 1990 apo kaluan klonin kufitar gjatë atij viti nuk arritën në tri dekada të krijojnë zë publik dhe të bëhen faktorë referimi. Dëshmitë e tyre, kryesisht në raste përvjetorësh, në tërësi kufizohen në përjetime personale, në evokim të njohjeve e detajeve të kohës, të cilat kanë vlerë modeste dokumentare. Akti i tyre dhe sidomos impakti që ai pati në historinë e re të Shqipërisë është shumë më i madh sesa dëshmitë e rrëfyera. Eksodi i korrikut u pasua nga valë të reja eksodi në janar, mars e gusht 1991, në pranverën e vitit 1997 dhe në vitet pasuese.

Asnjë prej tyre nuk ka tiparet, rëndësinë, natyrën dhe impaktin që pati korriku 1990. Eksodi i korrikut nuk ishte ikje nga regjimi, por fillimi i fundit të ikjes së vetë regjimit. Kurba e tranzicionit tregon se dosja e ambasadave pati të njëjtin fat si të gjitha ngjarjet e tjera të mëdha në historinë tonë, – ata më të pushtetshmit imponuan trajtimin e tyre historik, herë me retushim faktesh e ngjarjesh, herë me injorim të disa prej të vërtetave, përfshirë edhe të protagonistëve realë shqiptarë e të huaj. Kjo monografi e publikuar pak muaj më parë tenton të plotësojë boshllëkun e krijuar dhe të hedhë sado pak dritë në dokumentacionin dhe të vërtetat e korrikut 1990, si pjesë e të vertetave mbi shtetin e shoqërinë shqiptare në një prej viteve më të rëndësishme të tyre gjatë shekullit të XX.

 

Zjarr Tv Ad