Kryeministri Edi Rama, është duke mbajtur në Tiranë konferencën e përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, disa javë para se kjo e fundit të largohet përfundimisht nga politika. “Askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë se kancelarja Merkel”, tha Rama. Rama foli për procesin e Berlinit, të ardhmen e Ballkanit pas ikjes së Merkel, si dhe e falenderoi kancelaren gjermane për gjithçka që ka bërë për vendin tonë dhe vendet e tjera të rajonit.
“Ishte një privilegj, një nder, një kënaqësi që unë të kisha këtë detyrë, që të kisha mundësinë të njihesha me të, të mësoja prej saj dhe sipas meje, modestisht, sot është një moment ku të gjithë ne jemi të vetëdijshëm qoftë për çfarë kancelarja ka bërë dhe boshllëkun do lërë”, tha Rama. Më tej, kryeministri shqiptar e ftoi Merkel që kur të mos jetë më në politikë, të mund të vizitojë Shqipërinë dhe Ballkanin.
“Kancelarja e cila në detyrën e saj ka pasur impenjime në gjithë globin, tani do të jetë më e lirë dhe shpresoj shumë që do ketë kohën dhe dëshirën që të rikthehet në Ballkan dhe Shqipëri. Për të lexuar më nga afër realitetin tonë. Për t’u shpërblyer me diellin, detin, natyrën dhe humorin e Ballkanit. Që të paktën në këtë fushë është para Bashkimit Europian”, shtoi Edi Rama.
Pjesë nga fjala e kryeministrit të Shqipëri:
Kjo është një ditë e lumtur dhe e hidhur. E lumtur sepse Merkel ishte për vizitë tek ne ku takoi edhe liderët e Ballkanit Perëndimor dhe e trishtë se kjo është vizita e lamtumirës e Angela Merkel si kancelare. Unë besoj se askush nuk ka bërë për këtë rajon se ajo. Është një vizion largpamës jo thjesht për të kaluar një fazë disavjecare por për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku. Përtej të gjitha rezultateve konkrete në aspektin e fushave që mbulon procesi i Berlinit, arritja më e madhe është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe sensi të së ardhmes së përbashkët.
Ishte privilegj që kancelarja ishte në Tiranë, në pamundësi për të vizituar të gjithë vendet. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen, falenderimin dhe në emër të gjithë shqiptarëve, për të gjithë atë që Gjermania ka bërë për Shqipërinë, në aspektin e mbështetjes bilaterale.



