




Fraksioni brenda Partisë Demokratike i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, ka përzgjedhur dhe dy emra të rinj kandidatësh për zgjedhjet e 14 majit. Bëhet fjalë për Vaun e Dejës dhe Patosin dhe në garë për këto dy bashki do të jenë dy zonja të nderuara.





Klomentina Drini është kandidatja që do të përfaqësojë PD në zgjedhjet vendore te 14 majit në Vaun e Dejës. Ajo ka lindur dhe jeton së bashku me bashkëshortin dhe vajzën në Vaun e Dejës. Zonja Drini është pasardhëse e një familje të nderuar dhe që është persekutuar gjatë nga regjimi komunist.





Gjatë viteve të fundit kandidatja e PD ka qenë ne pozicione të larta drejtimi në fushën e administrimit në biznese private por dhe në administratën lokale. Angazhimi i saj është vlerësuar edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare duke përfshirë dhe punën e admirueshme që ka bërë për komunitetin e zonës.





Ndërkohë, për Patosin do të jetë në garë mësuesja Pranvera Rizai. Zonja Rizai rrjedh nga një familje e nderuar dhe e persekutuar gjatë regjimit komunist. Prej vitesh ajo mban postin e kryetares së LDG të Patosit.





Është anëtare themeluese e degës së PD në Patos dhe njihet për kontributin e saj edhe si anëtare e këshillit bashkiak. Prej shumë vitesh zonja Rizai ushtron profesionin e mësueses dhe së fundmi është angazhuar pranë shkollës “Meleq Gosnishti”, Patos. Ajo është e martuar dhe nënë e dy djemve.









