Kryeministri grek Aleksis Tsipars po qëndron në një vizitë zyrtare në Shkup, vizita e parë e një kryeministri grek në Maqedoninë e Veriut që kur shteti fqinj shpalli pavarësinë.
Tsipras shoqërohet nga 10 ministra të kabinetit të tij, të cilët së bashku me homologët e tyre nënshkruan disa marrëveshje bilaterale. E gjithë vizita e Tsipras po transmetohet drejtpërdrejtë nga televizionet kombëtare të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas agjendës, Tsipras mbërriti në aeroportin e Shkupit mëngjesin e 2 prillit, nga ku më pas u nis në godinën qeveritare, ku edhe u prit me ceremoni zyrtare.
Më pas zhvilloi një takim privat me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe takim me Këshillin për bashkëpunim mes Greqisë dhe Maqedonisë.
Në fund të dy kryeministrat do të japin deklaratë për mediat. Tsipras gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit Talat Xhaferi.
Pasditen e së martës, Tsipras dhe Zaev do të marrin pjesë në një forum biznesi. Kryeministri Aleksis Tsipras është shprehur se vizita në Maqedoninë e Veriut ka një rëndësi të madhe historike, bazuar në vizionin strategjik të dy vendeve.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA, Tsipras tha se Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhen të jenë partnerë dhe aleatë. Kryeministri grek shtoi se Athina ka nevojë për një fqinj të qëndrueshëm dhe të sigurt, ndërsa Shkupi ka nevojë për një fqinj të fortë që mbështet perspektivat e tij evropiane.




