Bakuja zbukurohet me “blu”, Europa League shkon në pjesën londineze të Chelsea për herë të dytë në historinë e saj. Është skuadra e Maurizio Sarrit ajo që mbulohet në “ar”, pas një 45 minutëshi të dytë fantastik ndaj Arsenalit.
Me pjesën e parë që nuk dhuroi asgjë përveç mërzitjes, fraksioni i dytë rezultoi një spektakël i vërtetë golash dhe emocionesh. Chelsea fitoi me shifrat 4-1 një takim që nuk duhej të mbaronte kurrë. Vetëm 4 minuta pasi u rikthyer në fushë, Chelsea kaloi në avantazh me anë të Giroud. Francezi u tregua dinak në zonë, teksa me kokë mposhti Cech.
Një episod që duket se e goditi psikologjikisht Arsenalin, që në 16 minutat e ardhshme pësoi dy gola. Fillimisht Pedro dhe më pas Hazard me penallti “çoroditën” topçinjtë. Gjithsesi, një goditje spektakolare e Iwobi mposhti Kepa dhe shtoi drithërimat te Chelsea.
Kjo detyroi Arsenalin që të hidhet në aventurë, por eksperienca e Chelsea dhe Hazard bënë që gjithçka të sfumohej. Belgu mori një asist fenomenal nga Giroud dhe gjithçka u mbyll këtu.
Fitimi i këtij titulli i jep oksigjen të ri Maurizio Sarrit në stolin e Chelsea. Italiani është përfolur se do të largohet nga Londra pas këtij takimi, por Abramovich duhet të shikoj sërish kartat. Ndërkohë, kjo humbje i kushton shtrenjtë Arsenalit, që humb një tjetër rast për tu kualifikuar në UEFA Champions League.




