Edi Reja u emërua pak kohë më parë në stolin e Kombëtares shqiptare, duke zëvendësuar Christian Panuccin e shkarkuar.
Së fundmi, në një prononcim për “Corriere dello Sport”, tekniku 74-vjeçar ka ndarë mendimin e tij në lidhje me disa nga çështjet kryesore në futbollin italian, si dhe ka rrëfyer aventurën e tij me Shqipërinë.
A do të shkojë Sarri te Juventusi?
Mendoj se po! Sarri është një teknik i veçantë. Do doja ta shihja më mirë me një ekip të ri dhe cilësor. Futbollistët e rinj do ta ndiqnin plotësisht ndërsa është më e vështirë me më të vjetrit. Sarri është shumë kërkues dhe i përpiktë në pikëpamjen taktike, por mbetet një trajner i madh.
Aventura te Shqipëria…
Kam deklaruar se nuk do të drejtoj me klube, por nëse më jepet një shans me ekip kombëtar, e marr në konsideratë. Kështu ndodhi. Nuk është ai stresi i përditshëm, por në kombëtare ka një përgjegjësi të madhe. Këtu në Shqipëri ka një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin. Një vend që ngjason me Napolin. Njerëzit e duan ekipin kombëtar dhe lojtarët. Kjo afërsi më jep energji. Ishte ajo që kisha nevojë. Mendoj se gjithçka po shkon mirë. Vështirësia kryesore e trajnerit, përveç njohjes së karakteristikave të lojtarëve është krijimi identitetit unik.



