Sulmuesi, Sokol Cikalleshi doli në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes kundër Islandës, e vlefshme për eliminatoret e Euro 202o.
Përpara gazetarëve, bomberi kavajas përforcoi zërat se kombëtarja nën drejtimin e Edi Rejës mund të aplikojë skemën me dy sulmues, teksa nuk preferoi të komentojë ecurinë e tij gjatë kohës që Shqipërinë e drejtonte Christian Panucci.
“Të jesh në Kombëtare është gjithmonë kënaqësi dhe të kontribuosh për kombin tënd është nder. Po punojmë me intensitet të lartë dhe shihet qartë që si stafi dhe ne lojtarët, jemi të një mendjeje. Uroj që këtë punë ta konkretizojmë me rezultat kundër Islandës.”
“Në dy grumbullimet e vitit të kaluar me Panuccin, kam qenë i pafat, pasi isha i dëmtuar.Dihet si shkuan gjërat me Panuccin, duhet ta lëmë pas dhe të nisim një kapitull të ri. Duke iu referuar sistemit të ti të Rejas, sulmuesit kanë më shumë përparësi për të luajtur.
“Nga 4 sulmues, do të luajmë dy, pavarësisht se varet sesi shkojnë gjërat. Ne kemi qenë gjithmonë një grup i harmonizuar dhe nuk kemi patur probleme, kushdo që ka luajtur ne e kemi mbështetur. Luan Sadiku, Balaj, Uzuni apo unë, mbështetja do të jetë maksimale. Harmonia dhe fryma pozitive e krijuar do të na ndihmojnë shumë në dy ndeshjet e radhës. Kam shënuar dy gola me Kombëtaren dhe shumë shtylla, por nuk kam mbetur i pakënaqur.
“Duke qenë se do të luajmë me dy sulmues shanset janë për të qenë afër portës. Goli nuk është qëllim në vetvete, me shumë kanë rëndësi rezultatet.”-deklaroi Cikalleshi.




