Kanë kaluar shumë ditë nga zhdukja e mistershme e mjetit fluturues, në të cilin humbi jetën ish-futbollisti, Emiliano Sala.
Por edhe pse pothuajse 5 muaj më vonë hetimet rreth kësaj ngjarje vijojnë, teksa policia britanike duket se ka gjetur edhe shkaktarin kryesor të këtij aksidenti. Një 64 vjeçar mësohet se është vënë në pranga, pas një hetimi të gjatë që policia britanike zhvilloi për të zbardhur shkakun e aksidentit tragjik.
“Ne kemi kryer një hetim të gjerë të rrethanave të vdekjes së zotit Sala dhe vazhdojmë të punojmë me agjencitë partnere duke përfshirë Autoritetin e Aviacionit Civil. Si pjesë e këtij hetimi, po shqyrtojmë nëse ekziston ndonjë dëshmi se mos ka pasur goditje me armë zjarri të mjetit fluturues dhe si rezultat i hetimeve tona, ne kemi arrestuar një burrë 64 vjeçar nga zona e Yorkshire e Veriut.
“Ai po ndihmon në zbardhjen e ngjarjen dhe është liruar nga paraburgimi. Kjo çështje prandaj është ende subjekt i një hetimi të gjallë dhe unë do t’i kërkoj mediave dhe anëtarëve të publikut të përmbahen nga spekulimet, pasi kjo mund të shkaktojë shqetësime shtesë për familjet e përfshira, si dhe mund të pengojë hetimin.
“Ashtu siç është praktika standarde, ne nuk do të lëshojmë ndonjë informacion të mëtejshëm lidhur me identitetin e personit i cili është arrestuar, përveç nëse ky person është akuzuar dhe do të paraqitet në gjykatë, pasi do të dekurajonte çdo spekulim lidhur me këtë.”-tha Simon Huxter nga Policia Dorset.
Futbollisti argjentinas ndërroi jetë tragjikisht në një aksident në aeroplan menjëherë pas nënshkrimit me Cardiff City në janar të këtij viti, së bashku me pilotin David Ibbotson. Trupi i lojtarit u gjet në shkurt por fati i Ibbotson mbetet ende mister.




