Rumania bllokon tanket ruse të kalojnë tranzit në drejtim të Serbisë

0
41

 

Rumania ka bllokuar një dërgesë ushtarake ruse të tankeve të luftës dhe automjeteve të blinduara të cilat ishin nisur drejt Serbisë për shkak të sanksioneve ndërkombëtare që janë vendosur në vend kundër Rusisë lidhur me veprimet e saj në Ukrainë.

Ministria e Jashtme rumune tha në një deklaratë të premten se nuk mund të lëshonte një leje tranziti për dërgesën për shkak të embargos së Bashkimit Evropian të paraqitur në vitin 2014. Në deklaratë nuk u dhanë më shumë detaje. Zyrtarët serbë u ankuan më parë këtë muaj se Rumania anëtare e NATO-s kishte ndaluar dërgesën e 60 tankeve të reja ruse dhe automjeteve të blinduara që do të dërgoheshin nga Rusia në Serbi nëpërmjet lumit Danub.

Raportet e medias thonë se Rusia dërgoi 10 makina të blinduara në Serbi këtë javë me aeroplanët e saj të transportit ajror. Rusia po ndihmon aleatin e saj Serbinë të forcojë ushtrinë e saj, duke ngritur në këtë mënyrë jo pak shqetësime në rajonin e Ballkanit.

Në vitet 1990 gjatë shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë, Serbia ishte në luftë me fqinjët e saj: Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Serbia ka marrë tashmë gjashtë avionë luftarakë MiG-29 nga Rusia dhe pretendon neutralitetin e vet ushtarak ndërsa po negocion blerjet shtesë të armëve nga Rusia, duke përfshirë helikopterët e sulmit dhe transportit dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

Serbia formalisht dëshiron të bashkohet me BE, por nën presionin politik dhe propagandues nga Moska, Beogradi ka hyrë gradualisht drejt Kremlinit dhe qëllimit të tij për të mbajtur vendet e rajonit jashtë NATO-s.

 

Zjarr Tv Ad