Alfred Moisiu: Politika ka dëmtuar rolin e kreut të shtetit, koha që Presidenti të zgjidhet nga populli…

0
104

Teksa fati i Ilir Metës ndodhet në dorë të Gjykatës Kushtetuese, ish-presidenti Alfred Moisiu, i sugjeron kreut të shtetit që nëse vendoset shkarkimi i tij ai sipas tij, duhet t’i bindet vendimit të gjykatës më të lartë në vend. Gjatë një prononcimi për mediat, ish-presidenti Moisiu, u shpreh se Parlamenti ka gjithë të drejtën për të ndërmarrë vendime konform ligjeve dhe Kushtetutës, ndërsa u shpreh i keqardhur që për herë të parë në Shqipëri, po shkarkohet një President Republike.

“Parlamenti ka të drejtat e veta, ka argumentet e veta, të cilat i ka parashtruar, sigurisht është hera e parë që ndodh, por do të shikojmë çfarë do vendosë Gjykata Kushtetuese. Unë mendoj që ashtu sikurse e merr detyrën nga Kuvendi edhe duhet ta dorëzosh kur vjen puna për t’u dorëzuar”, – deklaroi ai. Më tej, zoti Moisiu theksoi se është i bindur që të jesh President në Shqipëri, sipas tij, nuk është një detyrë e lehtë, por shtoi se ai duhet të udhëhiqet nga misioni për të qenë përfaqësues i unitetit.

“Nuk është aq e lehtë, unë kam qenë vetë në këtë detyrë, pavarësisht se u zgjodha me konsensus dhe u mundova ta ruaj këtë konsensus në marrëdhëniet me partitë. Sepse ka probleme që politika duhet të jetë e gjitha bashkë dhe nuk mundet që për probleme të të ardhmes së kombit, të fateve të shqiptarëve të ketë pikëpamje të ndryshme. Mirëpo për fat të keq te ne politikanët e ruajnë frymën partiake. Ky është një problem shumë i madh”, – u shpreh ai. Ndërkohë, duke komentuar lidhjet me politikën, zoti Moisiu e shikon si dëmtim të rolit të Presidentit, ndaj sipas tij, kreu i shtetit duhet të zgjidhet nga populli.

“Politika shqiptare në 30 vjet ka patur uljet dhe ngritjet e saj dhe sigurisht që praktika ka treguar se zgjedhja e presidentit si e bëjmë ne nuk është shumë e drejtë, presidenti duhet të zgjidhet nga populli”, – nënvizoi ish-presidenti Alfred Moisiu.

 

Zjarr Tv Ad