Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama, është ndalur në Peqin, ku po zhvillon një takim me banorët e zonës, të cilët po sfidonin reshjet e shiut dhe po qëndrojnë në shi. Ishte Balla ai që mori fjalën përpara Ramës dhe tha se reshjet e shiut, ishin bereqet, ndërkohë që premtoi më shumë investime pas 25 Prillit.
“Bereqet, bereqet, siç i ka hije kësaj zone, unë jam krenar që ne kemi arritur të bashkohemi më shumë se ndonjëherë në 30 vite në Peqin. Dua të garantoj banorët e Peqinit se ne do të vazhdojmë të investojmë edhe më shumë”, tha Balla.
Ndërkohë që Rama tha se në Kuvend, do të jenë dy çuna të Peqinit, ndërsa premtoi se ky qytet do të nxitet sa i takon sektorit të turizmit.
“Përshëndetje të gjithëve dhe besoj se Peqini në këto zgjedhje ka një mundësi që nuk e ka pasur ndonjëherë, pasi në këto zgjedhje do çojë dy çuna të vetët në Parlamentin e Shqipërisë. Unë nuk dua që t’ju mbaj gjatë këtu në shi. Për Peqinin ka ende shumë gjëra për tu bërë, besoj se ju e keni dëgjuar projektin tim për Shqipërinë që të jetë kryeqendër e turizmit në rajon”, tha Rama.




