Partia Demokratike reagon për betimin dhe mbledhjen e parë të Qeverisë “Rama 3”. Përmes deputetes Oriola Pampuri, PD thotë se shfaqja e sotme ishte një “propagandë bajate e qeverisë më të korruptuar në Ballkan”.
PD i referohet dhe Kodit të Etikës që Rama u loxoi sot publikisht ministrave. Kryeministri ua bëri të qartë të vetëve se nëse shkelin njëherë Kodin e Etikës do të kërkojnë falje publikisht, ama nëse kjo përsëritet duhet të largohen nga posti.
Reagimi zyrtar i PD:
Propaganda bajate e qeverisë më të korruptuar në Ballkan, i darkave te Nusreti dhe hoteleve 700 euro nata, shfaq si risi kodin e etikës që qysh prej 2013-ës përdori për t’u hedhur hi syve, qytetarëve. Të gjithë e mbajmë mend me sa ‘etikë’ u ngrit sistemi nepotik në qeveri, me sa ‘etikë’ vëllezër e kushërinj ministrash gëzuan paprekshmërinë për t’u kthyer në zota të drogës dhe trafiqeve, duke dëshmuar se fjalët e shumta mbi etikën fshihnin pikërisht mungesën e saj, pasi si atëhere edhe tani, PPP-ja Rama, Doshi, Rakipi, bashkëqeverisjen, e ka me krimin dhe kundër interesave të shqiptarëve.



