Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka konfirmuar pak më parë lajmin për lirimin nga detyra të Ardi Veliut dhe emërimin në krye të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Çuçi foli me superlativa për Ardi Veliun, duke thënë se ai u largua nga detyra me rezultate shumë të larta, duke e çuar Policinë në nivele që nuk janë arritur në këto 30 vite.
“Sot, Qeveria mori vendimin për lirimin nga detyra të Ardi Veliut, dhe emërimin në këtë detyrë të Gledis Nanos. Zoti Veliu largohet nga kjo detyrë me rezultate shumë të larta, duke e çuar në nivele si asnjëherë tjetër në këto 30 vite, performancën e Policisë.
Dhe kjo falë përkushtimit maksimal, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së jashtëzakonshme që ka demonstruar zoti Vleiu. Të gjithë treguesit e sektorit të Policisë, flasin për një rritje dhe një standard të krijuar tashmë të performancës së Policisë së Shtetit në nivele maksimale”, u shpreh Ministri.
Gjithashtu, ai komentoi dhe emërimin e Gledis Nanos, duke e thënë “Në detyrë zoti Nano, ka një sfidë: Për të çuar përpara këtë performancë të shkëlqyer të Policisë së Shtetit, në këto vite”.




