Teksa dy ditët e fundit kanë pasur një bilanc tragjik viktimash në vendin tonë, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për mediat, ku do të jetë i hapur për pyetjet e gazetarëve.
Kujtojmë se një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama, paralajmëroi nga Vlora një plan të ri ristrukturimi të punës së Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit pas eleminimeve dhe aksidenteve të rënda. Kujtojmë se në vetëm dy ditë, vendi ynë numëron 9 viktima. Mëngjesin e 25 Qershorit, rrugët u përgjakën ku në një aksident tragjik në autostradën Levan-Vlorë, u shua një familje. Aty humbën jetën Eduart Gushi 44-vjeç, Silvana Gushi 33-vjeç, Anastasia Gushi 14-vjeçe dhe Eva Gushi, 9-vjeç. Makina e kësaj familje, u godit nga pas nga një “Audi” që drejtohej nga Igli Madani dhe që po udhëtonte me një shpejtësi rreth 200 km/h.
Vetëm një ditë pas kësaj ngjarje, një tjetër tragjedi ndodhi në vend, këtë herë në Velipojë, ku sherri mes pronarëve të dy hoteleve, degjeneroi në përdorimin e armëve ku humbën jetën 4 persona. Viktimat e kësaj ngjarje të rëndë, ishin Kujtim Ferracaku 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërve Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38-vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe jetimi fatkeq Musaen Zenelit 20-vjeç, që e kapi një plumb në zemër dhe i mori jetën në vend.
Ndërkohë ditën e djeshme, ndërroi jetë edhe një i moshuar, i cili u përplas nga një makinë në Tiranë, në buzë të lumit të Lanës, teksa po kalonte rrugën. Kështu bilanci shkoi në 9 viktima në vetëm dy ditë.
NJOFTIMI I MB:
Në orën 11:00 ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, do të zhvillojë një konferencë për media në sallën brenda ministrisë. Ju ftojmë të jeni të pranishëm për të adresuar pyetjet që keni.




