Brexit penalizon partitë e mëdha

0
11

Brexit mbetet një shqetësim për shumicën e qytetarëve britanikë, dhe në zgjedhjet lokale të së enjtes ata e kanë treguar zemërimin e tyre duke ndëshkuar dy partitë më të mëdha në vend. Konservatorët dhe laburistët kanë humbur së bashku me qindra këshilltarë krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ndërsa partitë anti-Brexit kanë fituar terren. Figurat politike druhen se rrjedhja e votave do të vihet re së shpejti edhe në zgjedhjet europiane në tri javët e ardhshme.

Ngërçi politik rreth Brexit duket se u ka kushtuar shtrenjtë dy partive kryesore britanike, të cilat kanë pësuar humbje të thella në zgjedhjet e fundit vendore.

Në votimet e së enjtes në territorin e Anglisë dhe Irlandës së Veriut, konservatorët e kryeministres Theresa May raportohet të kenë humbur paraprakisht mbi 400 këshilltarë në 248 këshillat e vendit.

Rezultati parashikohet të përkeqësohet deri në 1 mijë të tillë, ndërsa laburistët e Jeremy Corbyn po ashtu janë ndëshkuar me të paktën 60 poste më pak.

Ndërkaq, fituesit më të mëdhënj të këtyre zgjedhjeve kanë dalë liberaldemokratët anti-Brexit të Vince Cable, të cilët kanë marrë mbi 280 këshilltarë më shumë se në zgjedhjet e kaluara, dhe Partia e Gjelbër me mbi 40 këshilltarë.

Figura të ndryshme të spektrit politik pranuan të premten se paqartësia me Brexit ka luajtur një rol vendimtar në rezultatet e fundit, dhe veçanërisht dështimi i shumicës dhe i opozitës për të arritur një kompromis rreth problematikës serioze.

Nuk munguan edhe zërat që kërkuan ndryshimin e lidershipit të qeverisë për të ndalur rrjedhjen më tej të votave, pasi qytetarët duket se kanë humbur besimin te partia në pushtet.

Kandidatët në zgjedhjet lokale britanike garojnë për 8,800 poste, të cilat aktualisht dominohen nga konservatorët me mbi 5,500 të tilla dhe laburistët me më pak se gjysma.

 

Zjarr Tv Ad