Mbi 1 milionë banorë janë evakuar nga brigjet lindore të Indisë si pasojë e ciklonit “Foni” që goditi vendin të premten. Stuhia ekstreme është shoqëruar me dëme të ndryshme materiale por fatmirësisht nuk janë raportuar viktima në orët e para. Origjina e ciklonit mbetet Bregu verilindor i Bengalit nga ku 11 vite më parë një stuhi e ngjashme u mori jetën mbi 138 mijë personave.
Një ciklon i fuqishëm zbarkoi mëngjesin e së premtes në brigjet lindore të Indisë, duke sjellë me vete shira të rrëmbyeshëm dhe erëra me shpejtësi deri në 240 kilometra në orë.
Videot amatore tregojnë furtunën ekstreme me emrin “Foni” teksa shkul e këput pemët e thjeshta dhe rrëzon çatitë e shtëpive, ndërsa në disa qytete është raportuar dalja e lumenjve nga shtrati.
Në orët e para nuk janë raportuar viktima, pasi janë marrë masat për të evakuar mbi 1 milionë banorë në viset më të rrezikuara.
Banorët po strehohen përkohësisht në 4 mijë banesa dhe mbi 800 qendra akomodimi të projektuara posaçërisht kundër cikloneve.
Shtetet e prekura këtë herë raportohet të jenë ai i Odishës dhe qyteti i historik i Purit, brigjet e të cilave u përshkuan përgjatë dy orëve derisa cikloni u ngjit më në verilindje të vendit.
Stuhia ciklonare e fundit e ka origjinën nga Bregu i Bengalit ku ndër vite janë formuar disa nga ciklonet më të fuqishme në historinë e vendit, përfshirë ai i vitit 2008, i cili vrau mbi 138 mijë persona në shtetin e Mianmarit.
“Foni” është cikloni i katërt që godet brigjet lindore të Indisë në tri dekadat e fundit.
Periudha e cikloneve në Indi shpesh nis në muajin prill dhe mund të zgjatë deri në dhjetor, duke shkaktuar dëme në njerëz, materiale dhe të mbjellat e vendit.




