Ambasadori italian, Alberto Cutillo, është shprehur kundër shtyrjes së zgjedhjeve pa një marrëveshje mes politikës. Shtyrjen e ditës së votimeve pa marrëveshje, diplomati e cilësoi si një varr më të keq se gropa. Duke u zhveshur nga gjuha diplomatike kur foli për integrimin e Shqipërisë në BE, Cutillo bëri të qartë se në qershor të gjitha mundësitë janë të hapura pasi Franca dhe vendet e Ulëta janë skeptike për Shqipërinë.
Diplomatët e huaj në vendin tonë duket se nuk kanë një zgjidhje të gatshme për politikën shqiptare, por ato i bëjnë thirrje palëve që të ulen në dialog.
Ambasadori italian, Alberto Cutillo, nga qyteti i Shkodrës është shprehur kundër shtyerjes së zgjedhjeve vendore pa një marrëveshje politike, pasi një gjë e tillë sipas tij mund të cënojë institucionet në vend.
Alberto Cutillo: Në këtë pikë të gjitha rregullat janë të brishta, pasi nuk mund të thuhet se cila është më normale, të shkosh në zgjedhje pa opozitën apo të shtysh zgjedhjet. Zgjidhja e dytë duhet të ketë një marrëveshje mes palëve. Unë nuk di të ketë një akord të tillë. Pasi të shtysh zgjedhjet pa një marrëveshje politike duke prekur Kushtetutën është e gabuar, siç i themi ne në Itali, një varr më keq se gropa.
Pak ditë para vendimit të Këshillit të Ministrave të BE, Abasadori italian tregon pa përdorur gjuhën diplomatike se kush janë shtetet kritike për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Alberto Cutillo: Ka shtete që janë në mëdyshje por ka dhe shtete me lëvizje politike që janë kundër zgjerimit, jo vetëm me Shqipërinë. Nuk është surprizë të them që Franca dhe vendet e ulëta janë shprehur kundër. Holanda po diskuton në parlament heqjen e vizave për Shqipërinë.
Në lidhje me integrimin, Alberto Cutillo pranoi se janë të hapura të gjitha mundësitë në lidhje me vendimin e negociatave.




