Nga Ferdinand Dervishi
E kuptuam të gjithë historinë e “Dajës”.
Ai u shfaq në tregun politik shqiptar me gjithë sharmin e brezit të ri. I fabrikuar si në epruvetë, me lukun e kuruar, posturën e duhur, fjalimet e përmbajtura, përgjigjet ekzakte në debate televizive, lëkurën e butë dhe duart e vogla të një njeriu, i cili, në punë, i ka hipur kalit të mendjes.
Pas, për fabrikimin e tij, kishin rrëshqitur para, bursa, shkollime në top universitete, dhjetëra pedagogë në dispozicion, qindra miq e futje miqsh.
Dikur “Daja” u shfaq për publikun dhe popullin si shpresë e politikës së re.
Kishte ca të palëçitur që thonin se “Daja” është lidhje e fshehtë e Liderit Global, e kryebashkiakut b… çelik, pjellë e Sorosit, por… imazhi i tij besohej, madje votohej.
Sepse “Daja” e kuronte vazhdimisht. Dërgonte çështje të korrupsionit qeveritar në SPAK, dilte në debate televizive, herë me dy mini bunkerë, që simbolizonin partitë e betonuara dhe pa rreze drite të Ramës dhe Berishës dhe herë, ah…, me një merimangë të madhe prej gome.
“Daja” thoshtë se këmbët e merimangës ishin ato që kishin thurur NET-in, apo rrjetën e e dendur, rrënjëshumë dhe të pleksur apo kapërthyer deri në errësim, të korrupsionit politik, të majtë e të djathtë.
Se ai, dhe bashkëpunëtorët, shkatërrimin e NET-it dhe prerjen e këmbëve të merimangës, e kishin qëllimin e jetës së tyre.
Në shfaqjen e fundit të sezonit zgjedhor, “Daja” e nxori merimangën prej gome nga xhepi i xhaketës firmato, dhe nën ovacinet e mbështetësve, ja preu këmbët, një e nga një.
Ishte demonstrim final i rrugëtimit politik. Një gjest që tregonte se “Daja” e kishte qëllim të jetës shkatërrimin e korrupsionit në Shqipëri përmes prerjes së këmbëve të pushtetit të Rilindjes, tretjes në errësirë të opozitës së vjetër, e të tjera.
Gjest që shqiptarët duhet ta kenë vlerësuar.
Më pas “Daja” u shfaq në debatin për një karrike deputeti.
Duke mos u kujdesur asnjë ditë të vetme të ruante angazhimin e një jete në politikë, ai hodhi tej patinë e tij, që në rastin më të keq kishte 10 mijë mbështetës e votues, dhe, bashkë me të, edhe koalicionin që shkonte në 70 apo 80 mijë, ose forcë e tretë politike në Shqipëri.
Regjia ishte mjeshtërore dhe e nivelit më të lartë të mbrapshtisë së inteligjencës.
Fillimisht dikush u kujdes të fshinte nga NET-i një postim të Liderit Global, ku gjenerohej i animuar sherri për një ulëse në Kuvend. Një skenë që mund të zgjonte mendime dyshuese për për skenar të paramenduar. Menjëherë më pas, lufta e “Dajës” u bë epike.
Televizionet dhe rrjetet sociale shpërthyen, sidomos shumica dërrmuese e kontrolluar nga Lideri Global. Aq fort buçitën, saqë beteja për një karrike u bë halli i radhës i gjithë një shoqërie, buka dhe uji i përditshëm, ajri dhe erëmimi.
Aq shumë u bombarduan veshët e popullit, sa edhe vetë votuesit e koalicionit të “Dajës” nisën të dyshonin dhe ti shihnin liderët e rinj si politikanë të pabesueshëm dhe si të njëjtë me gjithë të tjerët përpara tyre.
Në një moment ngadalësimi, të hutuarit, të zgjuarit dhe teleshmenët nisën të mendonin dhe thonin se “Daja”, ose ishte paguar, ose i ishte premtuar një karrige nga pushteti, se nuk kishte mundësi të tjera.
Se përndryshe i binte që, me këto veprime të tregonte, të ishte krejtësisht pulisht, d.m.th., i vogël, fëminor, kalama në gjykime.
Muaj më pas, kur “Daja” u shfaq në krye të një institucioni kushtetues, panorama u bë për të gjithë e qartë.
Ai nuk kishte vepruar si pulisht. Atij i ishte premtuar një post i rëndë, i përshtatshëm me synimet e tij, i bollshëm në buxhet, e të tjera.
U kuptua se kushti për të kapur postin e premtuar ishte sabotimi i shkuarjes në Parlament të përfaqësuesit me të votuar të rreth 80 mijë mbështetësve të koalicionit.
Se projeksioni i paktit kishte për qëllim shkatërrimin e gjithë ngrehinës që kishte ndërtuar në jetë dhe, sidomos, përbaljtjen përfundimtare të koalicionit.
U bë e qartë se “Daja” e kishte pranuar pazarin, që të shiste një parti, bashkë me koalicionin, për një karrige.
Të fuste në grackë, mikun dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë, për një shpërblim.
Të shiste shtëpinë e të gjithëve për të blerë një strofull sezonale, me purteka, për vete.
Në këtë nivel, ky është shembulli më i ndyrë i degradimit moral të shoqërisë sonë.
Ky është rezultati i korrjes së prodhimit nga brezat e rinj post-diktaturë.
Është niveli më i lartë i inteligjencës negative, fabrikimi më i ndyrë “Made in Rilindje”, që, për para dhe pushtet, shet gjithçka, birësisht gjithçka…




