Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zbuluar se më 6 shkurt do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të dokumentit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë.“Më 6 shkurt do të shënojmë historinë: Aleatët e NATO-s do ta nënshkruajnë protokollin për inkuadrim me Maqedoninë e Veriut së bashku me MPJ Dimitrov”, shkroi Stoletenberg në Twitter.Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Maqedoni, e pastaj edhe në Greqi, është larguar pengesa e fundit për anëtarësimin e vendit në Aleancën Veriatlantike, gati pas 11 viteve pas bllokadës greke në Samitin e Bukureshtit, në prill të vitit 2008.Ceremonia e nënshkrimit do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, në praninë e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. 29 ambasadorët e vendeve anëtare do ta nënshkruajnë protokollin, pas çka Maqedonia do të mund të marrë pjesë në të gjitha “formatet kyçe” të Këshillit veriatlantik.Siç sqaroi ambasadori slloven pranë NATO-s, Jelko Kacin, në një intervistë për MIA-n, Maqedonia nuk do të mund të marrë pjesë në mbledhjet ku shkëmbehen informacionet më të ndjeshme, derisa nuk bëhet anëtare e plotfuqishme dhe me këtë e arrin njohurinë e nevojshme për udhëheqje me atë lloj të informacioneve të ndjeshme.Pas nënshkrimit të protokollit për inkuadrim, secili vend anëtar i NATO-s do të duhet ta ratifikojë anëtarësimin e Maqedonisë, procedurë e cila mund të zgjasë maksimum dy vite, edhe pse pritjet janë se do të duhej të përfundojë në fillim të vitit 2020, ndoshta edhe në fund të këtij viti.



