Opozita greke ka arritur të marrë shumicën e qyteteve më të mëdha të vendit në garën për rajonet dhe bashkitë. Kryeministri Aleksis Tsipras e pranoi humbjen dhe deklaroi se po përgatitet për betejën elektorale të 7 korrikut. Rivali i tij konservator është zotuar të zhvillojë një fushatë të civilizuar dhe ka shprehur bindjen se do të jetë kryeministri i ardhshëm.
Të djathtët në Greqi trimfuan në shumicën e rajoneve të vendit në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore që u mbajtën të dielën.
Grupi politik i “Demokracisë së Re” mori 12 nga 13 zonat më të mëdha dhe fitoi shumicën e qyteteve.
Në kryeqytet, Kostas Bakojanis, djali i ish-kryebashkiakes konservatore Dora Bakojanis dhe nipi i liderit të opozitës, Kirjakos Micotakis, fitoi me një diferencë të madhe kundrejt rivalit të Sirizës, duke marrë 65 për qind të votave.
Kandidatët e djathtë shpallën fitoren edhe në qytetin e dytë më të madh të vendit, në Selanik.
Konservatori Micotakis deklaroi pas publikimit të rezultateve se harta e Greqisë është ngjyrosur e tëra blu.
Ai tha se deri në zgjedhjet e parakohshme të muajit të ardhshëm, do të ndjekë një fushatë elektorale të moderuar dhe qytetare.
Sikundër një javë më parë me zgjedhjet europiane, kryeministri socialist Aleksis Tsipras e pranoi disfatën edhe në zgjedhjet rajonale dhe ato bashkiake, duke theksuar se objektivi për partinë e tij tani mbetet beteja për zgjedhjet kombëtare të 7 korrikut.
Zgjedhjet e reja parlamentare vijnë tre muaj përpara afatit formal pasi qeveria e majtë e Tsipras vijon të humbasë mbështetjen në elektorat, veçanërisht të klasës së mesme, pavarësisht uljeve të taksave dhe rritjes së pensioneve që prezantoi një muaj më parë.
Sondazhet tregojnë se opozita pritet të ruajë epërsinë aktuale me gati 9 për qind edhe në zgjedhjet e afërta.




