Pasi dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet drejtuese në LSI, ish-zëvendëskryetari i kësaj partie Luan Rama, deklaroi përpara disa ditësh në një intervistë për mediat, se ka paraqitur një projekt në disa subjekte mediatike dhe është në diskutim me to, mbi mundësinë që t’i kthehet profesionit të gazetarit.
Edhe pse Luan Rama nuk e zbuloi se ku e ka paraqitur projektin e tij, me sa duket nje nga mediat ku ish-drejtuesi i lartë i LSI-së, ka paraqitur projektin e tij, ështē edhe Televizioni Ora. Ai është parë sot në shoqërinë e pronarit të këtij televizioni Ylli Ndroqi, siç duket edhe nga një foto që ka mbërritur në redaksinë tonë.
Po sot, Luan Rama është parë të futet edhe në mjediset e pallatit Coin, ku gjithashtu gjendet edhe redaksia e televizionit A2CNN. Nisja e sezonit të ri parlamentar që e gjen ish deputetin e LSI-së në dy legjislatura jashtë parlamentit, me sa duket do të na japë mundësinë ta shohim atë në ndonjë nga ekranet e televizioneve.
Luan Rama në fillimet e karrierës, ka qenë gazetar për shumë vite dhe edhe kryetedaktor i gazetës “Zëri i Popullit”.




