Dy ditë pas grabitjes së miliona eurove në Rinas, masat e sigurisë së brendshme vijojnë të jenë po të njëjta me masat e marra para ngjarjes. Në dy dyert e përdorura për hyrjen dhe daljen e grabitësve, ende vijojnë blloqet e betonit, zinxhirët e dyerve dhe pistonat. Ndërkohë në ambientet e jashtme kryhen patrullime nga Forcat e Armatosura dhe policia.
Zinxhiri metalik dhe blloqet e betonit mbeten e vetmja pengesë kalimi në portën e Rinasit, nga ku hynë grabitësit e 10 milionë eurove.
E vetmja masë sigurie shtesë janë patrullimet nga policia e shtetit, ushtria, por edhe punonjësit e sigurisë së brendshme të aeroportit. Në mënyrë të veçantë siguria është rritur tek porta që grabitësit përdorën për të dalë nga aeroporti i Rinasit.
Forcat e armatosura të cilat bazën e tyre e kanë tek komanda ajrore, kryejnë patrullime në të gjithë perimetrin e jashtëm të aeroportit, deri në afërsi të vendit, ku u vra dhe Admir Murataj.
Pas deklaratës së drejtorit të policisë së shtetit Ardi Veliu që në ambientet e brendshme do të përfshihet dhe policia, një patrullë e bluve kryen kontrolle në pistën e aeroportit.
Grabitja në Rinas u regjistrua të martën e kësaj jave rreth orës 15:00 në momentin paratë e 3 bankave ishin të vendosura në bordin e avionit, të cilat më pas do të transportoheshin drejt Vjenës.
Edhe të enjten policia e shtetit ka vazhduar krehjen e zonave periferike të Tiranës, ku dyshohet se janë fshehur autorët e vjedhjes me armë.
Në operacion janë përfshirë rreth 100 efektivë që drejtohen nga zyrtarë të lartë të drejtorisë së përgjithshme të policisë, Tonin Vocaj dhe Gjovalin Loka.




