Deputeti i zgjedhur i partisë Demokratike në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi ka postuar ditën e sotme vendimin e dhënë nga gjykata Administrative lidhur me gjobën prej 50 milionë lekësh të vendosur si shkak i organizimit të grumbullimeve të paligjshme.
Ai tha se vendimi i marrë kishte rrëzuar gjobën e mëparshme me shumën 50 milionë lekë, duke e konsideruar si “gjobë politike”.
Më tej ai bëri thirrje ndaj të gjithë qytetarëve që të ngrejnë padi dhe të injorojnë procese të të tilla të ndërmarra kundrejt tyre në mënyrë të padrejtë, duke shpresuar se këto gjoba antiligjore do të anulohen.
Postimi i Plotë
“Bashkë me avokaten e nderuar Zj. Eda Grimci, në seancën përfundimtare për gjobën politike 50 milionë lekë, e vendosur nga qeveria Rama për “grumbullime të paligjshme”.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, nisur nga padia ime, vendosi sot shfuqizimin e masës me gjobë, e gjetur në kundërshtim me ligjin dhe e pabazuar në fakte e prova.
Përshëndes vendimin e Gjykatës Administrative dhe inkurajoj bashkëqytetarët e mi, të cilët u goditën padrejtësisht gjatë pandemisë nga gjobvënësit politikë, të ngrenë padi dhe të iniciojnë procese të tilla, me besimin se këto gjoba abuzive dhe antiligjore do të rrëzohen menjëherë.
Drejtojuni gjykatës dhe kërkoni drejtësi për veten tuaj.”




