Greta Thunberg nuk ka pranuar një çmim për mjedisin dhe paratë për çmimin.
Thunberg refuzoi pasi sipas saj lëvizja klimatike nuk ka nevojë për më shumë çmime.
Ajo tha se dhënia e këtij çmimi ishte nderi i madh për të dhe falënderoi Këshillin Nordik, i cili tha se respekton vendimin e saj.
Por, Greta shtoi se politikanët dhe njerëzit në pushtet duhet të jetë më të vëmendshëm ndaj shkencës aktuale.
Thunberg gjithashtu ishte një ndër të nominuarit për Çmimin Nobel të Paqes, që shkoi për Abiy Ahmed.
Greta në një postim në Instagram shpjegoi vendimin e saj se pse hodhi poshtë çmimin prej 46.000 dollarë.
“Vendet nordike kanë një reputacion të madh në të gjithë botën kur bëhet fjalë për çështjet e klimës dhe mjedisit,”-tha ajo.
Ndërsa shtoi se konsumimi i energjisë elektrike tregon një qasje tjetër.
Greta iu referua një raporti nga WWF dhe Global Footprint Network, i cili thotë se Suedia, së bashku me pjesën më të madhe të rajonit Nordik, jeton sikur bota të ketë burimet e katër planetëve.
“Ne i përkasim vendeve që kanë mundësinë të bëjnë më shumë. E megjithatë vendet tona ende nuk bëjnë asgjë,”-shtoi ajo.
Presidenti i Këshillit Nordik, Hans Wallmark, tha se organizata e respekton vendimin e Greta Thunberg dhe e quajti lëvizjen e saj një kauzë të mirë për të gjithë.
Ai tha se Këshilli, i cili inkurajon bashkëpunimin midis parlamenteve të vendeve si Danimarka, Finlanda dhe Suedia, do të mendojë me kujdes se çfarë të bëjë me paratë e çmimit.




