Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, teksa i është përgjigjur pyetjes “a do të ktheheni më në PD?”, me një “jo” të prerë, ka folur gjithashtu edhe për familjen e tij. Ai tha se fëmijët i ka shkolluar në Shqipëri, duke hedhur kunja për shumë politikanë që i kanë shkolluar fëmijët jashtë-shtetit.
Ish-kreu i FRD-së, tregoi se gjatë kohës kur ka qenë President, ka takuar pedagogë që nuk e dinin se vajza e tij ishte vajza e Presidentit, pra e Kreut të Shtetit, Bamir Topi.
Pyetje: A ndjeni të riktheheni tani në PD?
Bamir Topi: “Unë mund të flas me interes dhe pasion, por nuk e kam këtë ndjenjë jo domosdoshmërisht të jesh në një strukturë i bie që padyshim duhet të jesh aty. Nuk e kam çuar në mend që të shkoj diku tjetër. Kur jam kthyer nga studimet dhe të gjithë po iknin nga Shqipëria, unë erdha. Fëmijët e mi i kam shkolluar këtu. Kam qenë idealist në disa gjëra, por s’më kanë rezultuar që të tjerët që kam pasur udhëtarë ma kanë pasur me sinqeritet. Fëmijët e mi kanë qenë me medalje ari dhe më kanë rastisur të takoj pedagogë që s’e dinin që vajza ime ishte vajza ime, ndërkohë që unë isha President. Vajzat nuk janë gjithmonë të mbrojtuara kur janë jashtë dhe unë doja të ishte këtu, se prindi mendon që ta ketë më afër dhe ta mbrojë familjen”, kështu u shpreh ish-presidenti Topi.




