Fushata e vaksinimit, do të përqëndrohet nga qendrat e qyteteve drejt qendrave shëndetësore. Gjatë heqjes së tendave në qytetin e Elbasanit, shiringat e përdorura për të bërë injektimet janë lënë në tokë, duke mos u pastruar nga institucionet përkatëse.
Një papërgjegjshmëri totale e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Kujdesit Parësor Shëndetësorë. Këto shiringa dhe papastërti të mbetjeve mjekësore mund të kthehen në burim infeksionesh për banorët. Qytetarët shprehen të shqetësuar për kamerën e Faxneës, duke deklaruar se kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri totale, ku mbetjet përbëjnë rrezik për përhapjen e infeksioneve.
“Papërgjeshmëri totale dhe burim infeksioni”, shprehet ndërkohë një qytetar.
Ndonëse bërja e vaksinës ishte për të ulur rrezikun e infektimit, pamje të tilla janë të rrezikshme.
“Qysh kur u hoqën tendat duhet të ishin pastruar. Është shumë e rrezikshme se janë mbetje spitalore, duhet zgjedhur një mënyrë për t’u grumbulluar dhe për t’u asgjesuar”, shprehet një tjetër qytetar.
Aktualisht në Elbasan, janë vaksinuar mbi 47 mijë persona. Fushata e injektimeve tashmë do të nisë për persona të moshave nën 55-vjeç, si dhe për ata të cilët nuk kanë mundur t’i nënshtrohen vaksinimit gjatë fazës së parë.




