Ish-deputeti dhe ish-kandidati i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, thotë se do jetë i pranishëm sot në Foltoren e Sali Berishës në qytetin bregdetar. Sipas tij, vlera më e madhe e PD-së janë anëtarët e saj.
POSTIMI I CARES
Mirëpres çdo foltore, që forcon PD-në, demokracinë e brendshme dhe bashkon demokratët.
Prej ditësh, anëtarësia e Partisë Demokratike është përfshirë në një debat të ashpër, që shumëkush përpiqet ta përkufizojë si sherri “Berisha – Basha”. Në gjykimin tim, ky debat ka të bëjë me përballjen me të vërtetën, me demokracinë e brendshme, me sistemin e vlerave e të karrierës, me të sotmen dhe të ardhmen, jo vetëm të Partisë Demokratike, por dhe të sistemit politik në Shqipëri.
Vlera më e madhe e një partie janë anëtarët e saj. Çështja më e rëndësishme sot është: “- A do të kthehet pushteti tek anëtarët e Partisë?” Demokratët e Durrësit do të mirëpresin “Foltoren e Berishës”, një proces shumë i vonuar, por më mirë vonë se kurrë! Në mendimin tim, foltorja nuk synon kthimin e Berishës, por rikthimin e legjitimitetit të bazës së PD-së dhe ky është një borxh që Berisha ia ka demokratëve.
Për të gjithë, miqtë e mi demokratë, që më pyesin nëse do të jem sot ne “Foltoren e Durrësit”, përgjigjja është PO! Do të jem aty për të gjithë demokratët, fuqizimin e tyre dhe kthimin e PD-së në alternativë qeverisëse!




