Moderatori Enkel Demi, ka ironizuar ministrin e Turizmit, Blendi Klosi pas deklaratës së këtij të fundit në një intervistë televizive, ku u shpreh se; është vërtetuar shkencërisht se në zonat me muzikë, virusi përhapet më shpejt.
“Zonat me muzikë dhe kjo është e vërtetuar dhe shkencërisht, kudo në botë janë zonat ku virusi përhapet më shumë nga çdo ambient tjetër, pasi valët e muzikës, janë ato të cilët përçojnë nëse në distancat ku ka valë muzike, përhapja e virusit është shumë e madhe”, u shpreh Blendi Klosi.
Ndërkohë, gazetari tha me ironi se Elton Deda, i cili ka qenë një ndër artistët që ka ngritur zërin pas vendimit të qeverisë, për të ndaluar muzikën pas orës 20.00 dhe mbylljen e klubeve, “është një përçues i rrezikshëm i virusit”.
“Elton Deda është një përçues i rrezikshëm i virusit, dhe të gjitha llojet e muzikës. E mira është që të heshtim dhe të mos këndojmë, madje dhe zilet e celularëve se do bëhen përçues”. Tha ndër të tjera gazetari.



