Kuvendi ka ankimuar në Gjykatën e Apelit vendimin për pushimin e çështjes CEZ, vendim i marrë nga Gjykata e Tiranës pak ditë më parë. Kuvendi, përfaqësuar nga deputeti Taulant Balla i kërkon Gjykatës së Apelit të vendosë kthimin e çështjes në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të kryer veprimet hetimore, të cilat janë të domosdoshme për të arritur në një konkluzion ligjor dhe objektiv në lidhje me veprat penale, të kallëzuara nga Kuvendi, dhe autorët e tyre.
Sipas Ballës, Kuvendi arsyeton se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk ka kryer veprimet e domosdoshme hetimore para se të merrte vendim për pushimin e çështjes.
Komisioni Hetimor i Kuvendit nga shqyrtimi i dokumentacionit që lidhet me privatizimin, shitjen e 76% të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes OSHE sh.a ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ a.s-së, ka arritur në përfundimin se një sërë zyrtarësh të lartë të shtetit shqiptar gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundërligjshme me një dëm në shumën 57,931,041,292 lekë, ose 414 milion Euro.




