Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është ndalur sërish sot në Shkodër. I shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm të policisë Ardi Veliu, ata kanë zhvilluar një takim në prefekturë me drejtues të policisë dhe prokurorisë. Lleshaj e Veliu janë pritur nga prefekti i ri i qarkut Shkodër, Valdrin Pjetri.
Mendohet se në fokus të takimeve janë ngjarjet e fundit kriminale dhe ecuria e hetimeve për zbardhjen e tyre. Kjo është vizita e 3 e Sandër Lleshajt brenda disa ditësh, që prej vrasjes së dy vëllezërve, Astrit dhe Brahim Balili. Pas kësaj ngjarje, në Shkodër pati edhe disa ndryshime në radhët e drejtuesve të policisë.



