“Mbrëmje nën Tingujt e Kitarës” – Koncert Emocionues nga Qendra Alfa & Omega, Peshkopi

0
116

Mbrëmjen e djeshme, më 28 gusht, në orën 20:00, para Pallatit të Kulturës në Peshkopi u mbajt një koncert i veçantë, që solli bashkë qytetarë të shumtë në një atmosferë të ngrohtë artistike nën tingujt e kitares. Kjo mbrëmje muzikore, e organizuar nga drejtuesi i Qendrës “Alfa & Omega” Peshkopi, Ermal Lushi, u kthye në një moment reflektimi, bashkimi dhe frymëzimi për të gjithë të pranishmit.

Koncerti u karakterizua nga interpretimet live të disa të rinjve të talentuar të qytetit, të cilët sollën emocione të vërteta nëpërmjet këngëve dhe performancave akustike. Në skenë performuan: Melisa Manuka, Kejsi Goleci, Ikeda Mazari, Riana Prifti, Sea Muglica, Bora Lleshi, Eda Uka, Gerti Qiriako, Arbi Dumani dhe Ermal Lushi të cilët me zërat dhe interpretimet e tyre krijuan një atmosferë të qetë dhe intime, që përputhej në mënyrë të përkryer me tingujt e lehtë të kitares.

Publiku, i mbledhur në oborrin e Pallatit të Kulturës, mirëpriti çdo performancë me duartrokitje të ngrohta, duke treguar vlerësim të lartë për talentet lokale dhe për përpjekjet që bëhen për të promovuar artin në qytet.

Ermal Lushi, organizatori i këtij aktiviteti dhe një zë i njohur për promovimin e vlerave kulturore në Peshkopi, u shpreh se qëllimi i këtij koncerti ishte jo vetëm argëtimi, por edhe inkurajimi i të rinjve për të ndjekur pasionin e tyre artistik dhe për të marrë pjesë aktive në jetën kulturore të qytetit.

Kjo mbrëmje tregoi edhe një herë se Peshkopia është një qytet plot jetë, ku arti dhe muzika gjejnë hapësirë për të lulëzuar. Iniciativa të tilla përbëjnë një gur themeli për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme dhe për rritjen e brezave të rinj me vlera artistike e njerëzore.

Zjarr Tv Ad