Policia e Vlorës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale duke arrestuar në flagrancë një 36-vjeçar me inicialet Q.M. që lëvizte me armë zjarri. Seksioni për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Vlorë gjatë patrullimit në orët e mbrëmjes së djeshme në qytetin e Vlorës, kanë konstatuar një person të dyshimtë i cili porsa ka parë Policinë ka tentuar të largohet me vrap.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje ku kanë bërë të mundur kapjen e tij. Gjatë kontrollit personal që iu bë këtij shtetasi, Policia i gjeti një armë zjarri pistoletë së bashku 8 fishekë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme.




