Ish-kryeministri Sali Berisha, u pyet në lidhje me reagimin e kreut të Partisë Demokratike, pas vendimit të DASH për shpalljen “non grata” të tij. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Berisha theksoi se në mënyrë absolute nuk ka asnjë aludim.
“Mos është gëzuar Lulzim Basha për vendimin e DASH?” – e pyeti Çani.
“Në mënyrë absolute nuk kam asnjë aludim. Zero” – u përgjigj Berisha.
Më tej, ish-kryeministri u pyet edhe për procesin zgjedhor për kreun e Partisë Demokratike, i cili theksoi se në prag të këtyre zgjedhjeve i ka vendosur vetës censurë të plotë.
“Është një garë, mos më shtyni të flas, pasi kandidatët për kreun e PD-së tashmë janë në garë dhe nuk është korrekte. Pas përfundimit të garës unë do të jap mendimin tim”, – tha Berisha.
Sipas tij, ajo çfarë e çuditi më tepër në lidhje me garën, ishte fakti për të afruar datën e zgjedhjeve në PD, pasi të dyja palët, si ata që ishin kundër dhe pro tij, ranë dakord për afrimin e datës, duke rënë në ujdi bashkë.




