Konkluzionet që kryeprokurori William Barr i paraqiti Kongresit amerikan pak javë më parë në lidhje me ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kanë qenë të paqarta dhe janë nxjerrë jashtë kontekstit. Prokurori i çështjes, Robert Mueller, thotë se besimi i publikut te çështja është dëmtuar. Ndërkaq, demokratët thonë se do të hetojnë kryeprokurorin për anshmëri me presidentin Trump.
Prokurori special Robert Mueller ka kritikuar konkluzionet që i janë paraqitur Kongresit amerikan rreth ndikimit të qeverisë ruse në zgjedhjet e fundit presidenciale. Ish-drejtori i FBI-së i cili hetoi presidentin Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e ngushtë thotë se raporti i tij është nxjerrë jashtë kontekstit. Këto rezerva iu bënë të njohura prokurorit të përgjithshëm William Barr, i cili pak javë më parë përpiloi konkluzionet e hetimit.
Mueller: “Konkluzionet nuk kanë paraqitur si duhet kontekstin, natyrën dhe substancën e hetimeve tona, ndaj publiku me të drejtë është hutuar për disa aspekte kritike të hetimit. Kjo gjë ka dëmtuar besimin e publikut tek rezultati e hetimeve.”
Mueller përgjatë një hetimi 22 mujor zbuloi se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vendit me synimin për ta ndihmuar presidentin Trump të fitonte, porse ekipi elektoral i presidentit nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë.
Prokurori special kërkoi specifikisht që kreu i Shtëpisë së Bardhë të mos shkarkohej tërësisht nga përgjegjësia, por ky vullnet nuk u respektua nga kryeprokurori Barr.
Të martën, demokratët në Senatin amerikan kërkuan që Prokurori i Përgjithshëm të hetohet nëse ka vepruar apo jo me paanshmëri.
Ndërkaq, në fillim të javës dha dorëheqjen edhe zv.kryeprokurori Rod Rosenstein, personi i cili caktoi prokurorin Mueller të hetojë lidhjet me Rusinë.
Deri tani, nga hetimet janë akuzuar 34 individë, tetë janë dënuar penalisht, përfshirë edhe pesë bashkëpunëtorë të presidentit Trump.




