Punëtorët e uzinës së naftës në Ballsh kanë vijuar edhe sot protestat e tyre. Në ditën e pestë të protestës ata u mblodhen përpara uzinës. Një nga punëtorët tha se dje u mblodhën te prefektura e Fierit për t’i kërkuar prefektit të kordinonte një takim me ministren Balluku por kjo nuk ndodhi.
‘’Ne donim të kishim një takim me Ministren e Energjitikës, por prefekti na çoi një mesazh sot dhe tha do keni nje takim të enjten por jo me ministren. Ne jemi shumë të irrituar, nuk e di se çfarë vendimi do marrim.”
Një tjetër punëtor u shpreh se kërkojnë pagat e prapambetura dhe të fillojë puna në uzinë sa me shpejt. Gjithashtu ai tha se politikanët i kanë lënë jetim, asnjë nuk i takon.
‘’Ne i bëjmë thirrje ministres që të mendojë per ne, zhvishu nga petku i ministres dhe kthehu në një nënë, në një prind, na kërkon fëmija bukë. Mallakastra sot eshtë në gjendje katastrofike. Ne nuk kemi marrë asnjë përgjigjë nga qeveria. A pyesin ndonjëherë këta se si jeton ky komunitet, si i paguajmë taksat? Po të ketë vullnet problem ynë mund të zgjidhet.”




