Ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit dhe ultimatumet e Ramës dhe Veliut, flet Shemsi Prençi: Gjuha e përdorur nga Kryeministri një slogan politik presioni!

0
348

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka komentuar aktualitetin më të fundit në vendin tonë, duke u përqendruar kryesisht tek mbledhja e fundit e Kryeministrit Rama me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit në vendin tonë.

Sipas Prençit, gjuha e përdorur nga kreu i qeverisë në atë mbledhje nuk ishte aspak etike, pasi sipas tij, ky kryeministër e ka pasur kohën të mjaftueshme që të bënte një analizë të punës së këtij institucioni të lartë ligj-garantues siç është Policia e Shtetit, këtu e tetë vite, dhe jo tani. Madje ka arritur deri në pikën që na e ka reklamuar si policinë që duam të gjithë.

“Gjuha e përdorur nga Kryeministri nuk është ajo e duhura ndaj një organizate policie, sidomos me drejtuesit e lartë të policisë, sidomos në këto momente, për faktin se kryeministri e ka patur të mjaftueshme për tetë vite me radhë kohën për të analizuar punën e Policisë së Shtetit, por në fakt asnjëherë nuk e ka bërë këtë gjë. Madje, e ka reklamuar për mirë duke thënë që kjo është policia e duhur, duke bërë që ta dërgojë atë në rrugën e gabuar, duke u shkëputur me komunitetin, duke u shkëputur me njësitë e qeverisjes vendore, duke krijuar një distancë me strukturat e tjera shtetërore. Policia e Shtetit duhet të jesh njësh me komunitetin. Gjuha e përdorur nga kryeministri ishte një slogan politik presioni, pasi ky presion adresohej në fakt te koka e policisë së shtetit, sepse është i bindur se e keqja më e madhe e organizatës së policisë është pikërisht drejtori i përgjithshëm i saj, ai që ka bllokuar gjithë sistemin në polici, ndaj policia është katandisur aty ku është katandisur.”, deklaroi në lidhje me këtë çeshtje, z. Prençi.

Më tej, Prençi tha se Policia e Shtetit ndodhet në nivelin më të ulët të shënuar ndonjëherë në gjithë këto vite, megjithatë ai u ka dalë në mbrojtje atyre, duke thënë se Rama nuk duhet të përdorte atë gjuhë komunikimi publike me ta, por ti mblidhte veçmas dhe më pas të dilte në konkluzione.

“Policia e Shtetit është në nivelin më të fundit të shënuar ndonjëherë. Kjo organizatë është shumë e madhe, pasi numërohen mbi 12 mijë vetë, që nga polici më i thjeshtë e deri te kokat më të larta, ndaj Kryeministri nuk duhet të kishte përdorur këtë gjuhë komunikimi publikisht, live. Por, ai duhet të kishte gjetur kohën e duhur që të bënte një analizë të thellë të situatës kriminale në vend, me dyer të mbyllura, me drejtuesit më të lartë jo vetëm të Policisë së Shtetit, por edhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, pasi ato kanë raporte të hollësishme për situatën kriminale në vend, e sidomos me atë të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e Shqipërisë. Të bëhej kjo mbledhje mes tyre në privatësi dhe më pas të bëhej një komunikim për mediat, por jo të diskreditohen dhe tu bëhej presion drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit.”, vijoi më tej z. Prençi.//FaxNews.

Zjarr Tv Ad