Nga Ilir Alimehmeti
“Nuk mbulohet dielli me shoshë”
Cit.: Populli
Miqtë e mi, i kemi mbushur mendjen vetes që disa masa funksionojnë dhe i kemi vënë në zbatim, në fillim sepse nuk dinim e më pas sepse nuk duam të pranojmë realitetin!
Fatkeqësisht virusit nuk i është mbushur mendja që këto masa funksionojnë dhe asnjë shtet i botës nuk arriti dot ta mbajë virusin jashtë, pavarësisht nga metodat e kontrollit që përdori.
Në studimin e publikuar më datë 17 shtator 2021 në revistën prestigjioze PLOS One studiuesit kërkuan të gjejnë pikërisht efektshmërinë e masave të kontrollit në hyrje të një spitali universitar, për të evituar hyrjen e personave të infektuar.
Rezultatet ishin pritshmërisht zhgënjyese!
Pasi u skrinuan për shenjat klinike, u vërejt se:
Temperatura zbulon vetëm 14.8% të personave të infektuar.
Kolla zbulon vetëm 22.4 të personave të infektuar.
Dhembja e grykës zbulon vetëm 13.0% të personave të infektuar.
Dhembja e kokës zbulon vetëm 18.0% të personave të infektuar.
Dhembja e kyçeve zbulon vetëm 12.3% të personave të infektuar.
Humbja e shijes zbulon vetëm 17.3% të personave të infektuar.
Humbja e nuhatjes zbulon vetëm 13.9% të personave të infektuar.
Matja me termometër pa kontakt ishte një nga metodat më të paefektshme:
temperatura >37.3°C zbulon vetëm 6.6% të personave të infektuar,
temperatura >37.5°C zbulon vetëm 6.0% të personave të infektuar,
temperatura >37.8°C zbulon vetëm 4.2% të personave të infektuar.
Gjithashtu nuk kishte efekt ne filtrim as kombinimet e kritereve klinike:
17.5% zbulohen përmes kriterit klinik 1 (dy prej shenjave: temperaturë, kollë, teshtima, dhembje fyti, rrufë);
24.7% zbulohen përmes kriterit klinik 2 (një prej shenjave: vështirësi në frymëmarrje, humbje shije ose humbje nuhatje);
33.8% zbulohen nëse përdoren të dy kriteret klinike të mësipërm.
Pra shkurtimisht:
Matja vetëm e temperaturës si mjet për zbulimin e COVID-19 metoda me performancëm më të keqe. (Tabela 4)
Përdorimi vetëm i mjeteve skrinuese të bazuara mbi simptomat (si temperatura, kolla, humbja e nuhatjes apo e shijes, dhembja e kokës, e trupit apo e grykës, dhe dobësia e përgjithshme) është mëtodë e pavlerë. (Figura 3)
Përdorimi i termometrit pa kontakt si mjet skrinues korrelon me një metodë të pavlerë për kërkimin e personave të infektuar.
Pyetësorët e vetëdeklarimit të simptomave nuk performojnë më mirë se sa hedhja e shortit me monedhë, kur bëhet fjalë për dallimin e personave të infektuar nga ata të painfektuar.
Pra, ju lutem, a mund t’i eliminoni ato termometrat e kotë në ballë?
Po të kishin pasur ndonjë efekt, nuk do të përhapej virusi kudo nëpër botë!
Gjithashtu a mund t’ua eliminojmë këtë stres njerëzve, sidomos fëmijëve në shkolla, pasi kjo metodë matjeje të kotë të temperaturës përngjason shumë me një akt kërcënimi me pistoletë në kokë?
Siç dalin në përfundim autorët:
Nuk duhet të fokusohemi mbi metoda të provuara të pavlera!
Duhet të zbatojmë metodat mbrojtëse që e dimë që funksionojnë si distanca fizike, higjiena e rregullt dhe përdorimi i maskës atje ku distanca nuk ruhet dot!
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë
Për detaje:
https://journals.plos.org/plosone/article?id=10.1371/journal.pone.0257450



