Operacioni Forca e Ligjit i është kthyer aksioneve me veprime konkrete në terren pas një pauze të gjatë për shkak të pandemisë së Covid-19.
OFL ka vendosur sekuestro në kushtet e emergjencës për 9 automjete.
Gjithashtu është vendosur sekuestro edhe për një pasaportë, për moslejimin e daljes jashtë shtetit të poseduesit të saj.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për 9 automjete dhe një pasaportë” thuhet në njoftimin e policisë.
Janë sekuestruar
– Tre automjete autovetura në pronësi të shtetasit Edison Dushku, banues në Farkë të Tiranës, të cilit në shkurt i ishte dërguar formulari për deklarimin e pasurisë;
– Automjeti fuoristradë në pronësi të shtetasit G. K., banues në Maqellarë, Dibër;
– Automjeti Audia A6, në pronësi të shtetases V. H., banuese në Korçë;
– Automjeti në pronësi të shtetases L. M., banuese në Lezhë;
– Automjeti në pronësi të shtetasit A. G., banues në Gjirokastër;
– Automjeti në pronësi të shtetases E. K., banuese në Gjirokastër;
– Automjeti në pronësi të shtetases L. K., banuese në Gjirokastër;
Gjithashtu, bazuar në Nenin Nr. 11 për “Masat parandaluese personale në raste emergjencës”, i është bërë bllokimi i pasaportës dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit për një afat 6-mujor një shtetasi, banues në Lezhë.
“Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, automjetet i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve dhe dosjet pasurore të këtyre personave do t’i kalojnë SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”.
OFL thotë se gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie nuk ka ndërprerë asnjë ditë punën, por ka vijuar me veprime për kompletimin e dosjeve hetimore të shtetasve që janë subjekt i OFL-së.
“Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL, është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar”.




