Vijon Operacioni Forca e Ligjit edhe ditën e sotme duke i dërguar formularin e deklarimit të pasurive 1 personi në Vlorë dhe 2 në Fier.
OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
-Aleksandër Llanaj, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasje kundër dy ose më shumë personave”;
Aleksandër Llanaj është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2016 nga Gjykata e Vlorës. Ai së bashku me shtetasit Ani Begaj dhe Bertil Aliaj akuzoheshin për vrasjen e trefishtë në lagjen “Çole” të Vlorës me 7 prill të 2015 ku u ekzekutuan me armë zjarri Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj. Tre të rinjtë u vranë pas një konflikti të çastit në ambientet e brendshme të një kazinoje.
-Vladimir Çilotaj, banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe fabrikim i lëndëve narkotike dhe psikotrope”;
-Shpëtim Çilotaj, banues në Fier, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.




