Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj në Kuvend, ka deklaruar se; janë kontraktuar doza vaksine për 800 mijë qytetarë, duke bërë me dije se; janë parapaguar 2.9 milion dollarë për marrëveshjen me Pfizer, krahas parapagimit në instrumentin COVAX.
“Marrëveshja me Pfizer ishte përmbyllja e përpjekjes për sigurimin e 500 mijë dozave vaksinash që së bashku me marrëveshjen e COVAX me mundësimin pra të 1 milion e 140 mijë doza vaksinash, ne kemi tashmë të kontraktuara doza vaksinimi për 800 mijë qytetarë, duke filluar me grupet prioritare. U angazhuam financiarisht në parapagimin e marrëveshjes së Pfizer-it dhe tashmë kemi paguar rreth 2.9 milionë dollarë, si dhe kemi parapaguar në instrumentin e COVAX -it për të garantuar sigurimin e vaksinave në një kohë të shpejtë”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi gjithashtu se; janë siguruar mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore, medikamentet dhe është rritur numri i testimeve me qëllim këputjen e zinxhirit të infeksionit.
“Ja kemi dalë t’u sigurojmë stafeve mjekësorë të gjitha mjetet e mbrojtjes personale njësoj si në çdo vend tjetër, ja kemi dalë të shtojmë numrin e testimeve, të hapim qendrat e testimit të shpejtë në komunitet. 51 pika testimi janë sot në të gjithë territorin dhe lehtësojnë kryerjen e testit duke krijuar mundësinë e këputjes së zinxhirit të infeksionit. Me punë e pa fjalë ja kemi dalë të sigurojmë të gjitha medikamentet për trajtimin e simptomave, me punë pa fjalë paket e trajtimit ambulator mbështet falas qytetarët për format e lehta dhe të moderuar të sëmundjes,”, ka thënë Ogerta Manastirliu.
Ndër të tjera, Manastirliu ka nënvizuar se spitali i ri i Fierit, i financuar nga Republika e Turqisë, ka filluar dhe do të mbarojë brenda afateve të vendosura.
“Me financimi e Republikës së Turqisë mike puna ka filluar për ndërtimin e një spitali me kapacitet 150 shtretër në Fier, i projektuar si një spital i cili do të ofrojë shërbime të nivelit të lartë për kirurgjinë, urgjencën, sëmundjet interne dhe gjithashtu dhe një pavijon dedikuar sëmundjeve infektive, të pajisur me aparaturat e fjalës së fundit të teknologjisë. Ky spital do ti shërbejë qytetarëve shqiptar si të gjithë spitalet publike”, është shprehur Manastirliu.




