Ish-kreu i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi ka folur ditën e sotme për Fax News, pak para Foltores së radhës që mban Sali Berisha këtë të martë në qytetin verilindor.
Ai ka konfirmuar pjesmarrjen në takim, duke thënë se pritet një pjesmarrje e madhe e demokratëve.
“Kjo foltore në Kukës do të jetë e madhe. Patjetër që do marr pjesë. Unë kam kandiduar edhe si kandidat për kryetar partie. Në zgjedhjet e fundit për kryetar u përdor modeli i mospjesmarrjes. Ngritja e zërit nga brenda është themelore”, tha Elezi.
I pyetur kur do të marë fund kjo periudhë kaosi në PD, Ibsen Elezi thotë se deri nga viti i ri mendon se do jetë gjetur një zgjidhje.
“E para kjo është përplasje dispropocionale. Berisha duke parë që vetë e ka të pamundur, i ka bërë thirrje gjithë demokratëve. Janë shumica e anëtarësisë që po reagojnë. Është dispropocinale pasi Basha nuk ka më mbështetje nga Kuvendi dhe kryesia. Dhe nëse këta vendosin që të largohet z.Basha ai nuk ka çfarë të bëjë. Besoj se deri në vitin e ri kjo periudhë kaosi në PD do të mbarojë. Mendoj se PD do ketë një pikë kthese. Ndoshta njerëzit nuk do mendojnë si Berisha. Do jetë një PD që do ketë debate dhe rryma të ndryshme. Respektimi i rregullave shmang konfliktet. Konfliktet janë si pasojë e mosrespektimit të rregullave“,deklaroi Elezi.
Ibsen Elezi e vlerëson iniciativën e ndërmarrë nga Sali Berisha si një lëvizje e cila po rritet dhe që do të përfundojë me shkarkimin e Bashës.
“Nuk jam pjesë e stafit të doktorit. Por sipas informacioneve që kam, njerëzit kanë vepruar në mënyrë individuale më tepër se organizim i doktorit. Edhe pse struktura e degës mund të ketë mbajtur qëndrim kundër lëzivjes, kjo nisëm është kthyer në ortek dhe po kthehet në shumicë dërrmuese që do ia imponojë largimin z.Basha”, u shpreh Elezi.
Për sa i përket shkarkimit të Flamur Nokës si nënkryetar i komisionit të sigurisë, Ibsen Elezi thotë se nuk habitet më përderisa është përjashtuar Berisha.
“Pas përjashtimit të Berishës këto të tjerat nuk përbëjnë lajm. Ndoshta në rastin e Flamurit ka pasur të drejtë, nuk e di. Por nëse nuk vepron sipas statutit, atëherë i bie që nuk respektohen rregullat dhe në çdo rast është gabim nga Basha. Lulzim Basha ka filluar t’i shkelë rregullat që nga viti 2014, dhe i ka bërë të gjitha eksperimentet e ndryshme sa duron anëtarësia. Fakti që ka reaguar Berisha nuk përbën risi por vetëm një element që Berisha u përball me këto thyerje rregullash dhe mungesë demokracie, patjetër do kishte reagim nga ana e tij. Nuk është frymë e krijuar nga Berisha por nga Lulzim Basha. Aq të frusttrim janë demokratët sa mezi prisnin për shpërthim“, theksoi Elezi.




