Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyi theksoi se kufijtë ndërkombëtarë të vendit duhet të mbeten të pandryshuar pavarësisht nga deklaratat e Rusisë për të shpallur si shtet të pavarur Donetskun dhe Luhanskun.
Zelenskyi tha se njohja e pavarësisë së rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut nga Rusia është shkelje e sovranitetit të Ukrainës. Megjithatë, ai vazhdoi të apelojë për paqe dhe kërkoi mbështetje të qartë nga Perëndimi.
“Ne nuk kemi frikë nga askush dhe asgjë. Ne askujt nuk i kemi borxh dhe as i japim asgjë” tha presidenti ukrainas.
Sipas tij, njohja e “republikave popullore” nënkupton edhe tërheqjen e Rusisë nga marrëveshja e Minskut. Zelenskyi tha gjithashtu se veprimet e Rusisë po përpiqen vetëm të legjitimojnë praninë e vazhdueshme të trupave të saj në Donbass që nga viti 2014.




