Qytetarët flasin të revoltuar për çmimet stratosferike: Shteti duhet të mendojë dhe për fukarain, premton ulje çmimesh dhe bën vetëm rritje…

0
46

“Shteti duhet të bëjë hesapin e fukarait, jo të marrë bukën me listë dhe të rrijë të hajë bukë me vaj,” thotë një e moshuar.

Ky reagim ka ardhur si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve, përballë pagave dhe pensioneve për të cilat thonë se nuk i mbulojnë dot të gjitha shpenzimet. Duke filluar nga çmimi i bukës, duke vazhduar tek produktet bazë të shportës ushqimore, e për të vijuar deri tek fruta- perimet e zarzavatet, të cilët kanë pësuar rritje. Qytetarët, të cilët janë të prekurit e drejtpërdrejtë e konsiderojnë të papërballueshme këto çmime.

“Buka është rritur, zarzavatet janë rritur, vaji është rritur, të gjitha. Çfarë mund të thuash më tepër,” thotë qytetari. “Ne të na rrojnë kalamajtë që i kemi për së mbari që na ndihmojnë, se po të jetë për ne këtu merr litarin dhe mbytu,” thotë qytetarja. “Për ne janë rritur,” shprehet një tjetër.

INSTAT raporton se rritja reflektohet edhe tek çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” ku u rritën me 18,3 për qind. Madje shporta bazë e ushqimeve ka njohur një shtrenjtim me 4.6 për qind krahasuar me vitin e shkuar. Shteti, thonë qytetarët, duhet të luajë rolin e tij si rregullator në ruajtjen e një balance në treg. “Ti vjen i premton këtyre fakirëve që shesin këtu do ulim këtë, do ulim këtë kur ju i ngrini. Nuk e di si është ulja,” thotë qytetari.

Nëse flasim për zarzavatet, 1 kg domate tregtohet me 1500 lekë të vjetra. Shitësit tregojnë për stepje të blerësve përballë çmimeve të tilla. “Normal shprehin nervozizëm sepse nuk e përballojnë dot çmimin,” thotë një tregtar. Ndikim ka pasur edhe uljen e fuqisë blerëse dhe konsum më të pakët. “Ka ndikuar ndejshëm edhe te shitja edhe te konsumimi. Konsumohet shumë më pak kur kanë qenë shitjet normale,” thotë ai.

Sipas INSTAT, çmimet kanë pësuar rritje dhe tek kategoria “vajra dhe yndyrna” me 7,2 %,  dhe fruta me 3,2 %.

Zjarr Tv Ad