Richard Grenell, është një figurë kontraverse për shqiptarët. Ish-zyrtari i lartë i Donald Trump, donte të merrte rol protagonist në debatin Kosovë-Serbi, veçanërisht në zgjidhjen e konfliktit për liqenin e Ujmanit.
Grenell së fundmi ka kujtuar Betejën e Kosovës, ku luftuan popujt e Ballkanit kundër Perandorisë Osmane. Por postimi i tij ku e quan si betejë serbe, është konsideruar si provokim nga shumë shqiptarë.
“Sot ne ndërrojmë heronjtë e Vidovdanit. Në këtë ditë më 1389, beteja kundër Otomanëve në Kosovë filloi. Sot është një ditë përkujtimi për Shën Princ Lazarin dhe martirët e shenjtë serbë”, shkruan Grenell.
Një leksion historie, Grenellit ia ka dhënë ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
“Nuk ishte betejë e serbëve; ishte ushtria e Ballkanit që luftoi kundër pushtuesit Osman”, ka deklaruar ajo. “Kjo betejë u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb që nga shekulli i 19-të duke na mbajtur të gjithëve peng,” i është përgjigjur Çitaku.
Por në krah të tij ka dalë aktivistja e njohur shqiptare në SHBA, Evi Kokalari. Kjo e fundit, vetëm katër ditë më parë kishte shkruar në Facebook se “Richard Grenell, mik i përjetshëm i Shqiptarëve”.
Sot, pas “stuhisë” kundër Grenell, Kokalari thotë se i qëndron kësaj deklarate.
“I qëndroj kësaj deklarate. Mjaft politizuat çdo gjë, thotë ai. Kini besim”, shkruan Kokalari në Facebook.



