Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikon vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare, ku tregohen zonat në të cilat do të lejohet hapja e kazinove dhe kriteret për marrjen e licensës së tyre.
Sipas VENDIMIT, zona ku lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “Kazino”, në qytetin e Tiranës, ndodhet brenda kufizimeve të rrugëve, si më poshtë vijon: “Rruga “Barrikadave”, Rruga “Urani Pano”, Rruga “Dedë Gjon Luli”, Rruga “Ibrahim Rrugova”, Bulevardi “Zhan D’Ark”, Rruga “Xhorxh Ë. Bush”.
APLIKIMI DHE FORMA E DOKUMENTEVE SHOQËRUESE
1. Gara për dhënien e licencës për “Kazino” shpallet nga Autoriteti. Njoftimi për hapjen e garës për dhënie licencë për kategorinë e lojës së fatit “Kazino” shpallet nga Autoriteti, i cili ka detyrimin të publikojë njoftimin për konkurrim në lojërat e fatit për kategorinë “Kazino”, në faqen e saj zyrtare të internetit, në dy gazeta, që botohen në vendin tonë, në dy numra radhazi, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike.
2. Njoftimi duhet të përmbajë:
a) vendin, datën dhe orën e paraqitjes së dokumenteve;
b) gjuhën e paraqitjes së dokumenteve;
c) mënyrën e paraqitjes së dokumenteve;
ç) vendin, orën dhe datën e shqyrtimit të dokumenteve.
3. Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim dhe nga çdo dokument apo informacion tjetër, të cilin Autoriteti e gjykon të nevojshëm t’ia kërkojë aplikantit gjatë shqyrtimit të aplikimit për pajisjen me licencë në kategorinë “Kazino”.
4. Aplikimi kryhet me dorëzimin e kërkesës për pajisje me licencë pranë Autoritetit, së cilës i bashkëlidhen dokumentet shoqëruese, sipas parashikimeve të këtij vendimi.
5. Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jenë hartuar sipas formaliteteve të përcaktuara nga legjislacioni përkatës në fuqi.
6. Dokumentet shoqëruese, ku përfshihet edhe e gjithë korrespondenca, dhe dokumentet për këtë
aplikim duhet të jenë në gjuhën shqipe. Aplikanti mund të depozitojë edhe dokumente në gjuhë të huaj, të shoqëruara me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe.
Aktet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhën shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuaranga Republika e Shqipërisë.
7. Aplikuesi do të përballojë të gjitha kostot, në lidhje me përgatitjen dhe dorëzimin e aplikimit, duke përfshirë, ndër të tjera, të gjitha kostot dhe shpenzimet, në lidhje me përgatitjen e përgjigjeve të pyetjeve apo kërkesave për sqarime a takime të Autoritetit.




