Ish kreu i PD Lulzim Basha shprehet në një postim në rrjetet sociale se gjuha e urrejtjes ndaj kryeministrit të Kosovës nga presidenti i Serbisë është e papranueshme.





Basha nënvizon se reagimi i Aleksandër Vuçiç-it tregon se lidershipi serb nuk është ndarë nga e shkuara.
“Gjuha e urrejtjes ndaj kryeministrit të Kosovës nga presidenti i Serbisë është e papranueshme. Ajo dëshmon se lidershipi serb nuk është ndarë nga e shkuara. Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk mund t’i imponohet me gjuhën e dhunës. Është koha që serbët e Kosovës të shohin drejt së ardhmes dhe mirëqenies, e të mos pranojnë keqpërdorimin e tyre për llogaritë politike të së shkuarës fatkeqe”, shprehet Basha.





– Advertisement –
Vuçiç e ka quajtur terrorist kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Një ditë më parë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha gjithashtu se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor, për shkak të, siç tha ai, reagimit “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Nenad Rashiçit si ministër në Qeverinë e Kosovës.





Më 6 dhjetor mbahet samiti i parë mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian thuhet se samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë të BE-së.









